Nuk është surprizë që aktiviteti fizik, luan një rol shumë të rëndësishëm në mirëqënien e organizmit. Por shpesh ndodh të mjaftohemi me disa ushtrime të lehta ose ecje jo shumë të gjata që nuk mjaftojnë për të balancuar kaloritë që konsumojmë. Nuk duhet harruar që aktiviteti fizik duhet të përfshijë të gjithë sistemin e muskujve dhe kockave dhe jo çdo ecje apo shëtitje në park mund të quhet aktivitet fizik i mirëfilltë.

Një shëtitje e gjatë në park, çdo ditë do të ishtë fillimi më i mirë i një rutine aktiviteti fizik, por mos harroni të shtoni intensitetin. Ecni çdo ditë duke shtuar distancën. Filloni dhe provoni të vraponi një herë deri në dy herë në javë. Pas një farë kohe provoni një seri ushtrimesh aerobike apo edhe palestër. Një mënyrë e mirë për të arritur qëllimin tuaj është t’i bashkoheni një ekipi sportiv, profesional ose jo nuk ka shumë rëndësi. Stërvitja në një ekip të tillë i mundëson trupit të aktivizojë të gjithë sistemin muskular, të stërvisë zemrën dhe ju ndihmon të mbani një gjëndje të ekuilibruar mendore. Për më shumë informacione se si loja në skuadër përmirëson shëndetin mendor shiko pjesen e trete të kesaj guide.

Disa ndryshime të vogla në përditshmërinë tuaj mund t’ju ndihmojnë të vini në lëvizje trupin dhe trurin. Duke nisur nga hapa të vegjël truri juaj mësohet gradualisht me shtimin e aktivitetit fizik, derisa kjo të bëhet stil jetese. Për shembull: provoni të merrni shkallët për në shtëpi ose në punë. Për distanca të vogla, provoni të ecni cdo ditë e më shumë derisa të eleminoni nevojën e mjeteve transportuese, makinat apo autobuzin. Këto ushtrime të vogla nuk i shërbejnë trupit, aq sa i shërbejnë trurit per t’u mësuar me ndryshimin. Shpesh rezistenca me e madhe vjen nga vetë truri, i mësuar ky me rutinën pasive të muskujve dhe organeve.

Një këshillë tjetër e dobishme, e cila është shumë e qartë dhe vetëshpjeguese, është të mos konsumoni alkolin, duhanin, apo edhe substanca të tjera që mund të krijojnë varësi. Krahas tyre limitoni deri në eleminim sheqerin e bardhë, cokollatën dhe substancat e pëpunuara sipas këshillave të pjesës së dyte. Organizmi “sforcohet” në një farë mënyre kur ndryshon ritmin me të cilin është mësuar, ndaj edhe substanca të tjera shtesë do të ishin të tepërta dhe do të pengonin funksionimin normal të organeve.

Për të mësuar trupin dhe trurin tuaj me këto ndryshime, ju duhet të jeni të vendosur dhe me vullnet. Kjo kërkon një gjendje psikologjike të qëndrueshme e të qetë. Në një shëndet të qëndrueshëm mendor kontribuojnë aktiviteti fizik dhe ushqimi i shëndetshëm, në të njëjën mënyrë që një gjëndje e qëndrueshme mendore ndihmon në përmirësimin e  ushqyerjes dhe aktivitetit fizik. Për me shumë mbi lidhjet mes shëndetit mendor, aktivitetit fizik dhe ushqyerjes së shëndetshme drejtohuni ne pjesen e trete te kesaj guide.